Në skenën e Teatrit “Migjeni” u zhvillua një mbrëmje e veçantë homazh kushtuar Tefta Tashko Koços, një prej figurave më të ndritura të artit muzikor shqiptar.
E titulluar “Kënga ime ndaj nat’ herë”, kjo shfaqje u konceptua si një podcast skenik nga Balina Bodinaku, ku rrëfimi dhe muzika u ndërthurën për të sjellë jetën dhe trashëgiminë e sopranos legjendare.
Në interpretimet e kësaj mbrëmje morën pjesë sopranoja Renisa Laçka, tenori Denis Skura dhe Merita Rexha Tërshana në piano, të cilët sollën për të pranishmit një udhëtim në kohë përmes momenteve më të rëndësishme të karrierës së Tefta Tashko Koços, duke përfshirë edhe marrëdhëniet e saj me figura të tjera të shquara si Lasgush Poradeci, Lola Gjoka dhe Kristo Koço.
Publiku shkodran përjetoi një mbrëmje plot emocion, ku zëri, poezia dhe muzika u bënë një në homazhin kushtuar artistes që ngriti këngën shqiptare në nivelin e artit klasik evropian.


