Trondit ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit: Shefat po shesin kolegët, i çojnë te familja me arkivol! Mua më hodhi kryeministri në botën e krimit

Mit’hat Havari, ish-drejtues i lartë i Policisë së Shtetit, ka bërë një deklaratë të fortë mbrëmjen e djeshme kur është shprehur se shefat e Policisë po shesin kolegët e tyre. Sipas tij, drejtuesit dhe policët e thjeshtë mes tyre janë duke tradhtuar njëri-tjetrin.

Ish-kryepolici ka treguar se edhe ai vetë është shitur nga kryeministrat me të cilët ka punuar, pasi është tradhtuar duke u hedhur në botën e krimit, ndaj, Mit’hat Havari propozon një shkundje totale të Policisë së Shtetit.

“Kanë ndodhur raste që ne i dimë, që kanë bashkëpunuar me krimin dhe i kanë hedhur shokët e tyre në gojë të krimit. Ajo më ka ndodhur dhe mua, më ka ndodhur nga kryeministra që jam hedhur në botën e krimit për interesat e tyre, por shumë e rëndë kur ty të tradhëton kolegu që ti punon dhe mund të vritesh dhe të çojnë pastaj te familja në arkivol”, është shprehur ai.

I ftuar në studion e emisionit “Off the Record” në A2CNN, Mit’hat Havari deklaroi se 90% e strukturës së Policisë së Shtetit është e majtë sepse të djathtët kanë ikur, nuk i fusin fëmijët në polici për shkak të kaluarës së tyre të errët.

“Unë do ta bëja këtë shkundje duke i kërkuar qeverisë shqiptare që rrogat e tyre të rriteshin, të kenë një stimul, sepse nuk u del rroga për të ushqyer fëmijët e tyre. Shoh uniformën e tyre skandaloze, të turpshme. Kanë kaluar 30 vjet me tenderat që i bëjnë ata, ku di unë ku i bëjnë. Nuk u vesh kjo polici me rroba europiane. Sa kushtojnë? Miliona që vjedhin ministra e zëvendësministra… Vazhdojnë policët rrugëve, nëpër pluhura i sheh.

Unë vij nga një shtresë tjetër, kundërshtar i regjimit të kaluar dhe ëndërrova për demokraci me dinjitet. Mund t’ju them me një shifër përafërsisht: 90% e Policisë së Shtetit është e majtë sepse të djathtët kanë ikur, nuk i fusin fëmijët nëpër polici për shkak të kaluarës së tyre të errët, por kjo gjë duhet rregulluar.

Të mos bëjnë nga ato diferencimet që i di unë se si i bëjnë, që i marrin aty pastaj i spostojnë, i seleksionojnë edhe janë ushtarët e partisë që merren me zgjedhjet e pushtetit vendor, me zgjedhjet e përgjithshme… I përdorin dhe pastaj nuk e kanë për gjë t’i hedhin rrugëve. Përderisa policia nuk ka dinjitet, nuk është e mbrojtur, nuk ka status”, përmbylli ish-drejtuesi Mit’hat Havari.

Lajme te tjera

error: Content is protected !!