Vdekja e 65-vjeçarit Gjergj Tusha në Lezhë mbrëmjen e së premtes (3 tetor 2025), i cili u gjet i pajetë pranë hidrovorit në Tale, ka marrë një tjetër rrjedhë.
Pavarësisht se Policia e Lezhës njoftoi fillimisht se viktima ka në trup plagë të dyshuar të shkaktuar nga arma e zjarrit, dyshohet që 65-vjeçari të jetë vrarë nga demi.
Ekspertiza mjeko-ligjore ka përcaktuar se plaga e gjetur në trupin e viktimës Gjergj Tusha nuk është shkaktuar nga armë zjarri, por nga një goditje e fortë që ka sjellë thyerje të brinjëve dhe dëmtime të brendshme. Sipas burimeve nga hetimet, në momentin që dyshohet se ka ndodhur ngjarja, viktima ndodhej në kullotë, duke u kujdesur për bagëtitë.
Hetuesit po analizojnë mundësinë që viktima të jetë goditur nga demi që ruante, pasi në brirët e kafshës janë konstatuar njolla gjaku.
Në dëshminë e saj, bashkëshortja e viktimës ka pranuar se demi ishte i egër dhe se e kishte paralajmëruar të shoqin për rrezikun që mund t’i kanosej. Aktualisht po pritet përfundimi i analizave laboratorike, të cilat do të përcaktojnë nëse gjurmët e gjakut në brirët e demit përputhen me ato të viktimës.


