Universiteti i Shkodrës inauguron Zyrën e Programit për Zhvillim Akademik dhe Profesional

Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Qendrës së Gjuhëve dhe Trajnimeve Profesionale “Lingua”, sot u zhvillua ceremonia e inaugurimit të Zyrës së Programit për Zhvillim Akademik dhe Profesional, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Ceremonia u shënua me prerjen simbolike të shiritit nga Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, dhe Drejtoresha e Qendrës “Lingua”, znj. Blerina Osmani, në prani të stafit akademik dhe studentëve.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Emiljano Pjetri, koordinator i programit, i cili prezantoi përmbajtjen akademike dhe organizative të nismës.

Sipas detajeve të bëra publike, programi i ri do të përfshijë 780 orë mësimore në gjuhën gjermane, që synojnë arritjen e nivelit B2, duke përgatitur studentët me aftësi gjuhësore dhe profesionale të përshtatshme për tregun ndërkombëtar të punës. Përveç mësimeve gjuhësore, do të ofrohen edhe trajnime profesionale shtesë, të përshtatura sipas kërkesave të tregut europian.

“Kjo zyrë dhe ky bashkëpunim janë një mundësi konkrete për studentët tanë që të ndërthurin formimin akademik me përgatitjen profesionale ndërkombëtare. Synimi ynë është që çdo i diplomuar të ketë një rrugë të qartë drejt punësimit cilësor,” – u shpreh Rektori Tonin Gjuraj gjatë fjalës së tij.

Ndërkohë, znj. Blerina Osmani theksoi se ky projekt është rezultat i një partneriteti të frytshëm që synon përgatitjen cilësore të profesionistëve të rinj në fushën e shëndetësisë dhe promovimin e universiteteve shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Një element i veçantë i bashkëpunimit është fakti që materialet promovuese për Universitetin e Shkodrës janë përgatitur falas nga Qendra “Lingua”, me synimin për të promovuar imazhin dhe vlerat akademike të UNISHK.

Pas ceremonisë, Rektori Gjuraj priti në takim përfaqësuesit e “Lingua”, ku u diskutua për hapat e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe për projektet e ardhshme në fushën e formimit profesional dhe ndërkombëtarizimit të studimeve.

Lajme te tjera

error: Content is protected !!