Kuvendi i Shqipërisë ka mbyllur procedurën e pranimit të aplikimeve për tre vendet vakante në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, të shpallura në prag të përfundimit të mandateve të anëtarëve Artan Hoxha, Luljeta Minxhozi dhe Violeta Staka.
Mes 19 kandidaturave të paraqitura në këtë procedurë, është edhe ajo e shkodranes Violeta Staka, e cila ka vendosur të rikandidojë për një mandat të dytë, një e drejtë që i njihet nga ligji, pasi ka përmbyllur vetëm mandatin e saj të parë në këtë institucion të rëndësishëm financiar.
Rikandidimi i Stakës e mban Shkodrën të përfaqësuar në një nga strukturat më të larta vendimmarrëse të sistemit bankar në vend. Ajo konkurron në një garë të gjerë, ku janë përfshirë edhe profesionistë të njohur nga fusha e ekonomisë, financës, drejtësisë dhe akademisë, përfshirë figura aktuale dhe ish-zyrtarë të institucioneve të rëndësishme publike.
Sipas ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Shqipërisë, ndërsa kandidatët duhet të plotësojnë kritere të rrepta profesionale dhe etike, përfshirë përvojë të gjatë në fushën financiare, bankare ose juridike.
Procesi i përzgjedhjes pritet të vijojë me shqyrtimin e kandidaturave nga Kuvendi, ndërsa vendimi përfundimtar do të përcaktojë përbërjen e re të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për vitet në vijim.


