Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim një punonjës policie, kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe dy inspektorë, të akuzuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Moskallëzim krimi”, të parashikuara nga nenet 248 dhe 300 të Kodit Penal.
Hetimet u zhvilluan në kuadër të procedimit penal nr. 457 të vitit 2025, bazuar në materialin e referuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Sipas Prokurorisë, më 09.04.2025 janë administruar të dhëna operative se në fshatrat Pistull dhe Paçram, Njësia Administrative Hajmel, Bashkia Vau i Dejës, shtetas të ndryshëm po kryenin ndërtime pa leje. Dyshohet se ata janë favorizuar nga punonjësi i policisë dhe inspektorët e IMT-së, të cilët nuk kanë vepruar sipas detyrës.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria thotë se rezultuan të provuara elementë të veprës penale dhe u morën të pandehur:
Të pandehurit
– A.D., punonjës policie në Komisariatin Vau-Dejës, i akuzuar për:
• “Moskallëzim krimi”, neni 300 i Kodit Penal;
• “Shpërdorim detyre”, neni 248 i Kodit Penal;
• Kryerja e veprës penale në rrethana rënduese (neni 50);
Me masë sigurie “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
– M.L., kryeinspektor në IMT, Bashkia Vau-Dejës, i akuzuar për:
• “Moskallëzim krimi” dhe “Shpërdorim detyre”, nenet 300-25 dhe 248;
• Rrethana rënduese sipas nenit 50;
Me të njëjtën masë sigurie “Detyrimi për t’u paraqitur”.
– J.H., inspektore në IMT Vau-Dejës, e akuzuar për:
• “Moskallëzim krimi” dhe “Shpërdorim detyre”;
• Rrethana rënduese sipas nenit 50;
Me masë sigurie “Detyrimi për t’u paraqitur”.
– D.Ll., inspektor në IMT Vau-Dejës, i akuzuar për të njëjtat vepra penale dhe rrethana rënduese;
Me masë sigurie “Detyrimi për t’u paraqitur”.
– B.D., i akuzuar për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, neni 301 i Kodit Penal.
Çështja tashmë i kalon për gjykim Gjykatës së Shkodrës, e cila do të vendosë mbi përgjegjësinë penale të të pandehurve.


