Veriu i vendit mbetet pas: Shkodra, perkrah Kukesit, me ndikim minimal në rritjen ekonomike të Shqiperise

Shkodra mes qarqeve me kontributin më të ulët në rritjen ekonomike të vendit

Pabarazitë rajonale në zhvillimin ekonomik të vendit vijojnë të thellohen, dhe të dhënat më të fundit të INSTAT për Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) rajonal për vitin 2023 tregojnë se Shkodra mbetet ndër qarqet me ndikimin më të ulët në rritjen ekonomike të Shqipërisë.

Sipas raportit, kontributi i Qarkut Shkodër në rritjen kombëtare të PBB-së ka qenë vetëm 0.07 pikë përqindje, një tregues që pasqyron fuqinë e kufizuar ekonomike të qytetit dhe të gjithë rajonit verior. Me këtë shifër, Shkodra renditet ndër qarqet me ndikimin më të vogël në zhvillimin ekonomik, krahas Kukësit, Dibrës dhe Gjirokastrës.

Në tërësi, rajoni Verior, ku përfshihet edhe Shkodra, kontribuoi me vetëm 22.5% të PBB-së kombëtare, ndërsa rajoni Qendër, i dominuar nga Tirana, mori gjysmën e aktivitetit ekonomik të vendit (50.3%).

Ndërsa Tirana mbetet “motori” i ekonomisë shqiptare, duke gjeneruar mbi 43% të PBB-së kombëtare dhe duke shënuar një rritje reale prej 4.7%, Shkodra vijon të përballet me mungesë investimesh, zhvillim të ulët industrial dhe varësi të lartë nga bujqësia tradicionale.

Në raport me popullsinë, PBB-ja për frymë në rajonin Verior është 819 mijë lekë, ose 16.8% nën mesataren kombëtare (984 mijë lekë). Kjo e pozicionon Shkodrën dukshëm më poshtë se qarqe si Durrësi, Fieri apo Vlora, të cilat po tërheqin pjesën më të madhe të investimeve dhe rritjes ekonomike.

Ekspertët vërejnë se këto diferenca reflektojnë mungesën e politikave zhvillimore të balancuara, si dhe përqendrimin e fortë të kapitalit dhe infrastrukturës në kryeqytet, ndërsa veriu, pavarësisht potencialeve të mëdha turistike dhe natyrore, mbetet në hije.

Lajme te tjera

error: Content is protected !!