Vetem 1 mije euro per te vendosur tritolin.Detaje te reja nga vrasja ne Shkoder. Ja rolet e te arrestuarve

Teksa katër personat e arrestuar në Shkodër si autor të dyshuar për vrasjen me tritol të 67 vjeçarit Hysni Ymeri, pritet të dalin të hënën në gjykatë për caktim mase sigurie, News24 ka mësuar detaje të reja nga hetimet e kryera deri më tani.

Njëri prej të arrestuarve, Gerti Bushati dyshohet të jetë paguar 1 mijë euro për të vendosur lëndën plasëse në paketën elektrike të pallatit ku banonte Ymeri, më datë 27 dhjetor, dy ditë para se të bëhej shpërthimi i telekomanduar, raporton gazetarja Xhensila Kodra.

Shuma e parave është gjetur dhe sekuestruar në banesën e tij. Nuk dihet nëse të riut i ishin premtuar para të tjera ose jo. Burime nga grupi hetimor konfirmojnë për Neës24 se Bushati u tradhtua nga kamerat e sigurisë teksa është fiksuar duke kaluar në zonë, por edhe gjatë kohës që ka ndërruar rrobat pasi vendosi lëndën plasëse.

27 vjeçari Bushati shfaqet i veshur me kominoshe të cilat i kishte veshur sipër rrobave të tjera dhe pasi largohet nga zona, heq kominoshet dhe i hedh në anë të lumit. E gjithë skena është fiksuar nga kamerat e sigurisë të një biznesi aty pranë, ndërsa rrobat e përdorura prej tij tashmë janë sekuestruar nga hetuesit.

Në sajë të hetimeve të kryera, hetuesit zbuluan se ditën e ngjarjes, në lagjen “Manush Alimani”, ndodheshin edhe dy të arrestuarit Ergys Ibrahimi dhe Edison Hasaj. Grupi hetimor ka dyshime të forta se shpërthimi i telekomanduar të jetë bërë nga Ergys Ibrahimi, sapo 67 vjeçari Hysni Ymeri ishte duke u ngjitur për në banesë.

Fillimisht u dyshua se ngjarja ishte aksidentale për shkak të një defekti në rrjetin elektrik, deklaratë që më pas u kundërshtua nga OSHEE.

Pas ngjarjes, të dyshuarit u shoqëruan në polici dhe u mbajtën në përgjim ambiente nga policia. Por pa e ditur këtë detaj, të dyshuarit kishin nisur të komunikonin me njëri-tjetrin.

Të arrestuarit nuk kanë konflikte direkte me viktimën, ndërsa hetuesit nuk kanë ende të qartë se kush është porositësi i vërtetë i krimit, apo edhe motivi i vrasjes së 67 vjeçarit.

Të arrestuarit do të përballen në hënën në gjykatë për një sërë veprash penale, si “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim; “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”; armëmbajtje pa leje, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim; dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Home » Kronike » Vetem 1 mije euro per te vendosur tritolin.Detaje te reja nga vrasja ne Shkoder. Ja rolet e te arrestuarve

Lajme te tjera

error: Content is protected !!