Shorti vendos një përballje të fortë për Vllazninë
Vllaznia në futboll për femra do të përballet me Interin e Milanos në turin e dytë eleminator të UEFA Women’s League. Shorti ka rezervuar një sfidë të vështirë për vajzat shkodrane, të cilat pas përballjeve me emra të mëdhenj të futbollit botëror si Real Madrid, Chelsea, Paris Saint-Germain dhe Juventus, tani do të presin edhe Interin në Shkodër.
Komentet e trajnerit Leka
Nga studioja e “Sport Show” në Tv1Channel, trajneri i Vllaznisë, Leka, komentoi për herë të parë kundërshtarin:
“Interi është një ekip shumë i fortë. Edhe me renditjen e UEFA-s, ata janë shumë më lart me pikë. Në dy vitet e fundit kanë bërë investime të mëdha, duke u bërë nënkampione të Italisë. Ka vetëm një lojtare italiane, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga futbolliste të kombëtareve gjermane, angleze, spanjolle dhe franceze.”
Ai shtoi:
“Pavarësisht se kush është kundërshtari, ne kemi vetëm një objektiv: kualifikimin. Duam të fitojmë dhe të kualifikohemi. Kemi punuar shumë për këtë ditë dhe po punojmë edhe më shumë me vajzat, me klubin dhe me presidentin. Ky i fundit ka bërë edhe dy afrime në merkato, por do t’i prezantojmë më vonë. Presim mbështetjen e tifozërisë në Milano fillimisht dhe më pas në Shkodër, pasi asgjë nuk është e pamundur.”
Data dhe vendi i ndeshjeve
- Ndeshja e parë: 8 tetor në Milano, në qendrën stërvitore të Interit, zgjedhje e klubit italian, ku pritet edhe mbështetja e emigrantëve shqiptarë.
- Ndeshja e dytë: Një javë më pas në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.