Mynih, 22 Shtator 2025 – Trashëgimia kulturore shqiptare u prezantua me krenari në një nga ngjarjet më të njohura ndërkombëtare, Oktoberfest. Për herë të parë, në këtë festival që mbledh miliona vizitorë nga e gjithë bota, u organizua një parakalim i veshjeve tradicionale shqiptare, ku vëmendjen më të madhe e mori Xhubleta, një ndër simbolet më të lashta të identitetit tonë kulturor.
Me format e saj unikale, mjeshtërinë e punimit dhe simbolikën që mbart prej mijëra vitesh, Xhubleta shkëlqeu në mesin e veshjeve tradicionale nga vende të ndryshme të botës. Pjesëmarrja shqiptare u prit me entuziazëm dhe admirim nga publiku ndërkombëtar, duke sjellë në vëmendje vlerat autentike të trashëgimisë sonë popullore.
Ky përfaqësim shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të kulturës shqiptare, duke promovuar jo vetëm bukurinë e veshjeve tradicionale, por edhe historinë e pasur që ato përfaqësojnë. Pjesëmarrësit shqiptarë në parakalim shprehën krenarinë për mundësinë që kultura jonë të bëhet pjesë e një platforme kaq të madhe ndërkombëtare si Oktoberfest.
Xhubleta, e njohur tashmë edhe nga UNESCO si pjesë e trashëgimisë kulturore jo materiale, vazhdon të frymëzojë dhe të impresionojë, jo vetëm si veshje, por si simbol i qëndrueshmërisë dhe identitetit të gruas shqiptare ndër shekuj.