Shkodër, 5 gusht 2025 – Portali ShkodraSot ka siguruar foton të 65-vjeçarit Frrok Lleshaj, i cili u vra mbrëmjen e së hënës në fshatin Paçram të njësisë administrative Bushat, në Vaun e Dejës.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, viktima kishte një të kaluar të ngarkuar. Lleshaj kishte shërbyer si efektiv i Policisë së Shtetit deri në vitin 1994. Në vitin 1995 u arrestua për një vrasje që kishte ndodhur mes familjarësh, por gjatë trazirave të vitit 1997 arriti të arratisej nga burgu.
Pas disa vitesh, ai u arrestua sërish dhe vuajti dënimin e dhënë nga Gjykata e Shkodrës në vitin 2006, duke u liruar në vitin 2023. Edhe pse gjatë gjithë kohës ka mohuar autorësinë e vrasjes së kushëririt të tij, Lleshaj u shpall fajtor dhe u dënua me vendim të formës së prerë.
Pista kryesore ku po përqendrohen hetimet është ajo e hakmarrjes, por Policia po shqyrton edhe pista të tjera të mundshme. Po verifikohet gjithashtu edhe aktiviteti i tij gjatë dy viteve të fundit, pas daljes nga burgu.
Pas lirimit, Frrok Lleshaj jetonte ne fshat, duke u marrë me blegtori.
Nga të dhënat paraprake mësohet se viktima ka qenë duke ecur në rrugët e fshatit mbrëmjen e djeshme kur është qëlluar me armë zjarri. Trupi i tij është gjetur nga një kalimtar i rastësishëm, i cili ka njoftuar menjëherë Policinë.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës është ngritur një grup i posaçëm hetimor, që po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor dhe identifikimin e autorit apo autorëve të mundshëm.