U shpall i vdekur nga gjykata para 20 vjetësh, zbulohet te kujt jane pronat e sekuestruara ne Shkoder. Organizata kriminale ne Itali e Amerike

Prokuroria e Shkodrës ka vënë nën sekuestro një apartament dhe një sipërfaqe toke në qytet, në kuadër të hetimeve për pastrim parash. Burime nga hetimet bëjnë me dije se pasuritë rezultojnë të jenë në pronësi të personave të lidhur me Leonard Mnellën, i njohur edhe me emrat Leon Kolmnela dhe Leonard Kolmnela, i cili vitin e kaluar u deportua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë.

Mnella, 54 vjeç, është një emër i njohur për drejtësinë italiane dhe atë amerikane. Ai është dënuar me 25 vjet burg nga Gjykata e Apelit të Salernos, për veprat penale të “Organizatë kriminale, trafik droge, pengmarrje, heqje e paligjshme e lirisë dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Në SHBA, ai është dënuar gjithashtu nga Gjykata e Distriktit Jugor të Nju Jorkut, për përfshirje në trafik ndërkombëtar narkotikësh.

Ndërkohë që ishte në arrati, Leonard Mnella alias Leon Kolmnela alias Leonard Kolmnela, në vitin 2013, kishte arritur që nëpërmjet një vendimi gjyqësor të lëshuar nga një Gjykatë shqiptare, të deklarohej i vdekur që në vitin 2003, në Amerikën Latine – një veprim që dyshohet se kishte për qëllim t’i shpëtonte ndjekjes penale.

Hetimet e Prokurorisë së Shkodrës kanë çuar në identifikimin e disa pasurive të paluajtshme që dyshohet se janë blerë me fonde të përfituara nga aktiviteti kriminal i Mnellës.
Sipas njoftimit zyrtar, është sekuestruar një apartament në lagjen “Vasil Shanto” me sipërfaqe 103.4 m², si dhe një sipërfaqe toke.

Nga verifikimet, ka rezultuar se pasuritë ishin blerë nga shtetasja J. N., për të cilën dyshohet se ka vepruar në bashkëpunim me Mnellën. Prokuroria sqaron se ajo nuk ka burime të ligjshme të ardhurash që të justifikojnë investimet, ndërsa fondet dyshohet se janë transferuar nga jashtë nga vetë Mnella.

Ky i fundit u lokalizua dhe arrestua në Miçigan, falë bashkëpunimit mes Departamentit të Policisë Kriminale shqiptare, DSS/OCIU (Shërbimi Diplomatik i Sigurisë pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë) dhe agjencisë DHS/ICE-ERO të Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare.
Pas arrestimit, ai u deportua në Shqipëri, ku është subjekt i hetimeve për pastrim parash dhe veprimtari të tjera kriminale të ndodhura vite më parë.

Vendimi për sekuestron është marrë nga Gjykata e Shkodrës, e cila ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, me qëllim parandalimin e tjetërsimit të pasurive dhe ruajtjen e tyre për konfiskim të mundshëm në përfundim të procesit penal.

Home » Kronike » U shpall i vdekur nga gjykata para 20 vjetësh, zbulohet te kujt jane pronat e sekuestruara ne Shkoder. Organizata kriminale ne Itali e Amerike

Lajme te tjera

error: Content is protected !!